Foto: NSD
Në Podgoricë u mbajt dje një takim ndërmjet përfaqësuesve të partive serbe dhe shqiptare, ku u theksua se shqiptarët dhe serbët në Mal të Zi kanë një traditë të gjatë bashkëjetese paqësore, respekti reciprok dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Gjithashtu, u riafirmua angazhimi i përbashkët për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, si një qëllim i pakthyeshëm.
Nga ana serbe, në takim morën pjesë Andrija Mandiq nga Demokracia e Re Serbe, Millan Knezheviq nga Partia Demokratike Popullore dhe Vlladimir Jokoviq nga Partia Socialiste Popullore, ndërsa nga pala shqiptare ishin lideri i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj dhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.
Në njoftimin për media të Demokracisë së Re Serbe, ky takim u quajt “historik”, ku u theksua se, pavarësisht që ekzistojnë pikëpamje të ndryshme mbi disa çështje rajonale, orientimi strategjik i përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet i palëkundur dhe përbën një avantazh të rëndësishëm për të gjithë rajonin.
Në takim u shpreh gatishmëria për një dialog të hapur dhe konstruktiv, me përkushtim të përbashkët ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi, që shihet si objektiv kyç që bashkon të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie kombëtare apo politike.
Pjesëmarrësit në këtë takim theksuan se shqiptarët dhe serbët kanë ruajtur marrëdhënie të qëndrueshme dhe të respektueshme edhe në kohë të vështira, duke treguar ndjeshmëri dhe tolerancë që duhet të shërbejnë si shembull për të gjitha popujt e rajonit.
Ata u dakordësuan se ka ardhur koha për një Mal të Zi të ri, një shtet me mundësi të barabarta për të gjithë, ku askush nuk do të diskriminohet.
Në takim, u theksua nevoja që të ndërpritet së ndjekuri politika e përjashtimit, që ka shkaktuar dëme si për serbët ashtu edhe për shqiptarët në dekadat e kaluara.
Të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord se duhet të punohet për ndërtimin e një Mali të Zi ku qytetarët të jenë të lirë, të lumtur dhe prosperues, një vend ku të gjithë komunitetet të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Po ashtu, u vlerësua rëndësia e dialogut midis përfaqësuesve politikë të serbëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi si një hap i rëndësishëm në një kohë të trazirave globale dhe konflikteve, dhe që duhet të shërbejë si shembull për popujt e tjerë në rajon.
Për më tepër, u bë thirrje për bashkëpunim me organizatat e tjera politike në Mal të Zi në temat që bashkojnë dhe shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve.
Në përfundim u theksua se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian nuk do të jetë vetëm një orientim gjeopolitik, por edhe dëshmi e pjekurisë së shoqërisë dhe angazhimit për standardet që garantojnë një mjedis më të mirë jetese dhe shoqëror për të gjithë.