Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar ribalancin teknik të buxhetit për vitin 2025, i cili bëhet për shkak të korrigjimeve teknike në përputhje me organizimin e ri të administratës shtetërore dhe për përmirësimin e buxhetit kapital.
Ribalanci mori mbështetjen e 50 deputetëve.
Ky ribalanc ishte i nevojshëm edhe për shkak të themelimit të Ministrisë së Punëve Publike, si dhe të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, e cila është formuar nga bashkimi i sektorëve të minierave, naftës, gazit dhe energjetikës.
Amendamentet e Socialdemokratëve nuk u pranuan
Partia e Socialdemokratëve paraqiti katër amendamente, por asnjëri nuk u pranua.
Deputeti Boris Mugosha propozoi që 15% e shumës prej 9 milionësh të planifikuar për privilegje të deputetëve të ridrejtohet për mbështetje materiale të familjeve në nevojë, propozim ky që nuk u miratua.
Amendamenti i dytë kishte të bënte me uljen e shpenzimeve për shërbimet konsulente për të shtuar fondet për përmirësimin e konkurrueshmërisë, por as ky amendament nuk mori mbështetje.
Amendamenti i tretë synonte uljen e mjeteve për kontratat me honorarë dhe ridrejtimin e tyre për transport dhe ushqim falas për fëmijët nga familjet socialisht të rrezikuara, por u refuzua.
Amendamenti i katërt parashihte uljen e fondeve për shërbimet avokatësore në mënyrë që të mbështetej më shumë Agjencia për Punësim për krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe ky propozim u refuzua.
Ligje të tjera të miratuara
Deputetët miratuan edhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për koncesionet, me 50 vota pro.
Këto ndryshime parashikojnë që sektori i lojërave të fatit të mos jetë më pjesë e ligjit për koncesionet.
Po ashtu, janë miratuar ndryshimet në Ligjin për nëpunësit shtetërorë dhe administrativë, me 42 vota pro, 9 kundër dhe 6 abstenime.
Nuk u miratuan amendamentet e paraqitura nga PDS-ja dhe Partia Boshnjake.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për revizionin dhe kontabilitetin.