Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi në Kuvend se Ligji i ri për Qasje të Lirë në Informacion përbën një hap përpara drejt transparencës më të madhe dhe përgjegjshmërisë së administratës publike, si dhe u mundëson qytetarëve pjesëmarrje aktive në proceset demokratike.
„Ky ligj u vë qytetarëve në dispozicion informacione si burim kyç, që u mundëson të marrin pjesë aktivisht në proceset shoqërore, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të ushtrojnë kontroll mbi punën e administratës publike“, theksoi Dukaj.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve që, pas miratimit të ligjit, t’i përkushtohen zbatimit të saktë dhe të qëndrueshëm të tij.
„Qasja e lirë në informacion është themel i pjesëmarrjes aktive qytetare dhe forcimit të demokracisë. Vetëm qytetarët e informuar mund të marrin vendime të përgjegjshme, si në zgjedhje, ashtu edhe në jetën e përditshme“, u shpreh ministri.
Gjatë fjalës së tij, Dukaj prezantoi disa nga risitë kryesore që sjell ligji:
- Janë përcaktuar më saktë përkufizimet e informacionit dhe të organeve të pushtetit.
- Është ndryshuar përmbajtja e udhëzuesit për qasje në informacione.
- Është zgjeruar diapazoni i të dhënave që institucionet lokale dhe shtetërore duhet t’i publikojnë dhe përditësojnë në mënyrë proaktive.
Ai shtoi se aplikantët nuk do të paguajnë tarifa për informacionet që, sipas ligjit, duhet të jenë të publikuara, gjë që do të motivojë institucionet të përmirësojnë transparencën.
„Ligji i ri parashikon edhe dorëzimin e informacionit në mënyrë elektronike, pa nevojën e marrjes së vendimit me shkrim, si dhe ka futur institutin e kontrollorit. Gjithashtu, është zgjatur afati për vendimmarrjen e organit të shkallës së dytë mbi ankesat – Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe për Qasje të Lirë në Informacion tani ka afat prej 30 ditësh nga dita e paraqitjes së ankesës në mënyrë të rregullt“, thuhet në njoftim.
Dukaj vlerësoi se efektet e këtij ligji do të jenë të shumëfishta.
„Qytetarët do ta realizojnë më lehtë të drejtën për informacion, ndërsa organet e pushtetit do të punojnë më efikas, me më pak hapësirë për abuzime dhe me shkallë më të lartë hapjeje ndaj publikut. Me miratimin e këtij ligji, Mali i Zi fiton një kornizë ligjore moderne dhe funksionale, që mundëson ndërtimin e institucioneve të hapura. Qasja në informacion që zotëron administrata publike do të jetë e garantuar juridikisht dhe shumë më efikase“, tha Dukaj, duke shtuar se ky ligj sjell vlera të reja për demokracinë në shoqërinë malazeze.