DËSHTON SËRISH KONSTITUIMI I KUVENDIT TË KOSOVËS, NESËR PËRPJEKJA E FUNDIT PARA AFATIT TË KUSHTETUESES

As në përpjekjen e sotme të deputetëve, të 52-tën me radhë, nuk është konstituuar Legjilsatura e Nëntë e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse në seancat e kaluara, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por të gjitha grupet parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 107 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 54 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

Pas votimit, kryesuesi i seancës Avni Dehari tha se meqë dje Gjykata Kushtetuese doli me vendim që të “ngrijë” funksionin e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht, do të bëjnë edhe ditën e fundit përpjekje për konstituim.

“Si kryesues i seancës konstituive në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër. Për sot ndërpritet seanca. Nesër takohemi në orën 14:00”, theksoi Dehari.

Para fillimit të seancës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidate për kryetare e Kuvendit nga kjo parti, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk ka reflektim nga deputetët deri nesër kur skadon afati 30-ditor për konstituim, i vetmi opsion janë zgjedhjet.

SHARE