Pronat e konfiskuara në veri të Milan Radoiçiçit, përgjegjësi për sulmin paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar do t’i jepen në shfrytëzim Policisë së Kosovës, ka vendosur qeveria me një ndryshim të një udhëzimi administrativ.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur kritika ndaj Prokurorinë Speciale në Kosovë që ende pas 10 muajsh nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij.
Ai ka thënë se ky institucion i ndjekjes, ka intervistuar ministren Albulena Haxhiu për një postim në Facebook.
“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radoiçiç dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij nga ana jonë e sistemit tonë të drejtësisë, prokurisë nuk i kanë mjaftuar10 muaj, por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”.
Ministrja Albulena Haxhiu u intervistua për dy ditë me radhë nga Prokuroria Speciale pasi pati pretenduar ditë më parë në një status në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia, duke aluduar në ikjen nga burgu të Faton Hajrizit, i pretendohet se është vrarë në Serbi pasi i njëjti dyshohet se kishte vrarë një polic serb dhe plagosur një tjetër.
Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se shenjat e gishtërinjëve të dërguar nga Serbia rezultojnë të jenë të Faton Hajrizit. Ai kërkoi të mos heroizohet figura e Hajrizit.