KOSOVË, QYTETARËT DO TË MUND T’I VOTOJNË 10 KANDIDATË PËR DEPUTETË NË ZGJEDHJET E ARDHSHME

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi t’i votojnë deri në 10 kandidatë për deputet të një subjekti politik dhe jo më pesë, sa ishte në zgjedhjet e fundit. 

Nëpërmjet një njoftimi për media nga KQZ-ja, zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, njoftoi edhe për mënyrën e votimit.

“Në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, voto vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë”, tha Elezi.

Ky ndryshim parashihet edhe në Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme.

Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, votuesit mund t’i propozonin maksimumi pesë kandidatë për deputetë nga një subjekt politik, por kjo ka ndryshuar gjatë reformës zgjedhore që Kuvendi i Kosovës përfundoi vitin e kaluar. KQZ-ja po ashtu njoftoi se vazhdon të vizitojë komunat e Kosovës me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit në zbatimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Gjatë muajit qershor, zyrtarë të KQZ-së shpërndanë materiale të shumta informative në kuadër të fushatës informative “Zëri juaj është e drejta juaj”.

Në qytete të ndryshme të Kosovës, zyrtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve janë takuar me qytetarë të shumtë, të cilëve u kanë ndarë materiale informative për procesin zgjedhor dhe mundësitë e ofruara nga KQZ-ja për ndryshimin e qendrës së votimit në çdo kohë dhe për ta bërë atë më afër vendbanimit të tyre.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të mbahen deri në fund të këtij viti.

SHARE