GJELOSHAJ TAKOHET ME GUVERNATOREN E BQMZ DHE SHEFIN E ZYRËS SË BERZH-it

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj u takua me guvernatoren e Bankës Qendrore të Malit të Zi Irena Radoviq, shefin e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Remon Zakaria dhe drejtorin e përgjithshëm të kompanisë konsulente ndërkombëtare “Crimson Capital” Michael Gold.

Në takim u diskutua për krijimin e Fondit të Garancisë Kreditore në Mal të Zi, kuadrin rregullator dhe rolin e Bankës Qendrore në këtë proces.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se formimi i Fondit për Garanci Kreditore është një hap i rëndësishëm për ekonominë malazeze dhe se institucionet vendase dhe ndërkombëtare janë të përfshira në procesin e themelimit të Fondit dhe janë shumë të përkushtuara ndaj këtij projekti.

Guvernatorja Radoviq theksoi se Banka Qendrore është e gatshme të japë një kontribut të plotë në kuadër të kompetencave të saj, sepse ekonomia malazeze, veçanërisht segmentet e saj më të cenueshme, mund të mbështetet dukshëm përmes Fondit për Garanci Kreditore.

Zëvendëskryeministri Gjeloshaj u shpreh i kënaqur me takimin e sotëm, duke theksuar se Qeveria e Malit të Zi dhe institucionet e tjera relevante do të bëjnë gjithçka për të arritur kornizën më të mirë rregullatore, të përafruar me standardet dhe praktikat më të mira.

“Paketa e mbështetjes që do të ofrohet përmes Fondit për Garancinë Kreditore dhe Bankës për Zhvillim për personat juridikë në Mal të Zi dhe veçanërisht për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme do të jetë një shtysë shtesë për të mbështetur ekonominë tonë”, tha Gjeloshaj.

SHARE