MINISTRAT E BRENDSHËM TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË TAKOHEN NË PIKËN KUFITARE NË VËRMICË

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, është takuar me homologun e tij nga Shqipëria, Taulant Balla, në pikën kufitare Vërmicë.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë të problemit të pritjes së gjatë në këtë pikë kufitare, ku radhë të gjata të veturave të kosovarëve që jetojnë në diasporë mbesin duke pritur për të hyrë nga Shqipëria në territorin e Kosovës.

Në fjalën e tij pas takimit, ministri Sveçla tha se ministritë e të dy vendeve kanë nënshkruar shumë marrëveshje mes vete dhe po punohet në menyrë intensive që ato të zbatohen.

“Problemi apo vështirësitë që kemi tash është me mërgatat tona, të cilët vijnë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, për pushimet e tyre. Ne kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona t’iu shërbejmë shpejt me efikasitet dhe po mendojmë disa variante sesi të tejkalohen këto vështirësi. Biseduam edhe me ekipet tona, zgjidhje ka. Patjetër që ka një vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj se shumë shpejt do të vërehen ndryshime të rrënjësishme”, theksoi Sveçla.

Ndërkaq, ministri Balla tha se arsyeja e këtij takimi ka qenë kërkesë e tij gjatë fundjavës së kaluar në kontakt me ministrin Sveçla.

Ai tha se ka një rritje të numrit të mërgimtarëve e jo vetëm, edhe udhëtarëve të tjerë nga vende të ndryshme, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Kosovë, e për shkak se për të gjitha targat me përjashtim të targave të Shqipërisë do të duhet të pajisen me sigurim. Sipas tij, kjo merr një “kohë të caktuar”.

“Shqetësimi im është që sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjithë Evropa, e jo vetëm për t’u kthyer, të gjejmë të gjitha mundësitë që gjatë kthimit të tyre në Kosovë përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër ose të gjejmë modalitetet sesi t’i japim një zgjidhje që pajisjen me sigurim mos ta bëjnë më në pikën e kalimit kufitar, por një propozim ka qenë ta bëjnë brenda një kohe të caktuar, sapo hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës ose brenda një distance të caktuar”, theksoi Balla.

Më tej, ai theksoi se në shumë vende ka një model që brenda një distance, 50-100 kilometër, ke kohën ose mundësinë për t’u pajisur me këtë sigurim, duke shtuar se “një prej arsyeve të këtij niveli të lartë të këtij trafiku është pikërisht kjo”.

Në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë gjatë ditëve të fundit në drejtimin Shqipëri – Kosovë ka pasur radhë të gjata të mërgimtarëve të cilët kthehen në vendlindje për pushime.

SHARE