Mali i Zi ende përballet me sfida të shumta sa i përket lirisë së emancipimit të grave dhe vajzave, tha ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka.
Në konferencën e organizuar nga Autoriteti i Statistikave (Monstat) në bashkëpunim me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave me rastin e publikimit të rezultateve të “Indeksit të Barazisë Gjinore në Mal të Zi”, ai tha se gratë dhe vajzat shpeshherë janë cak i sulmeve seksiste dhe mizogjene.
Ai shtoi se me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore janë përpjekur të përmirësojnë barazinë gjinore.
“Aktorë të shumtë në vend, duke përfshirë Ministrinë përkatëse, sektorin civil, organizatat ndërkombëtare dhe median, përmes fushatave, projekteve, programeve, konferencave dhe edukimeve të shumta, përpiqen t’i afrojnë qytetarët malazezë me konceptet dhe vlerat kyçe mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian, në të cilat ne aspirojmë t’u bashkohemi. Në atë drejtim, ne inkorporojmë trashëgiminë tonë, e cila përfshin respektin e ndërsjellë dhe luftën e vazhdueshme për liri. Progresi kërkon që ne të jemi novatorë dhe të hapur ndaj platformave të reja dhe kjo nuk mund të arrihet pa përfshirjen e grave dhe vajzave,” përfundoi Gjeka.