ZELENSKY: SITUATA NË DONBAS ËSHTË JASHTËZAKONISHT E VËSHTIRË

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se situata në Donbas është “jashtëzakonisht e vështirë”, teksa Rusia ka intensifikuar sulmin në lindje të Ukrainës. “E gjithë fuqia e ushtrisë ruse është përqendruar në këtë sulm”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 24 majit. Forcat ruse po synojnë të shkatërrojnë gjithçka në Liman, Popasna, Severodonjeck dhe Slloviansk, tha presidenti ukrainas. “Por, bazuar në përgjimet e bisedave të tyre telefonike, ne kemi dëgjuar se ata janë të vetëdijshëm se kjo luftë nuk ka kuptim për Rusinë dhe në aspektin strategjik, ushtria e tyre nuk ka asnjë shans”, tha ai.Sipas Zelenskyt, do të duhet kohë dhe “përpjekje të jashtëzakonshme” për ukrainasit që të thyejnë avantazhin rus sa i përket pajisjeve dhe armëve, teksa ai sërish u bëri thirrje shteteve perëndimore që ta furnizojnë shtetin e tij me armë të rënda. Raketahedhës, tanke, armë kundër anijeve dhe armë të tjera për Ukrainën janë investimi më i mirë në mbajtjen e stabilitetit në botë dhe për parandalimin e “krizave të rënda” që Rusia po planifikon t’i shkaktojë, tha Zelensky.

SHARE