Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, me propozim të Kryetarit të Komisionit, Boris Mugosha, miratoi vlerësimet dhe qëndrimet me rastin e seancës konsultative me temën: “Çmimet në zinxhirët e shitjes me pakicë”, të cilat do t’i paraqiten Qeverisë dhe shoqatave të punëdhënësve.
“Tani përgjegjësia kryesore i takon Qeverisë dhe rrjeteve të shitjes me pakicë për të zbatuar masat e propozuara, me qëllim ofrimin e çmimeve më të favorshme për konsumatorët fundorë”, theksoi Mugosha.
Duke vlerësuar se është e nevojshme të merren masa dhe veprime shtesë me qëllim mbrojtjen e standardeve të qytetarëve dhe përcaktimin e hapave konkretë në drejtim të një zgjidhjeje sistematike për problemin e çmimeve të larta, Komisioni për Ekonomi, Financa dhe Buxhet:
– i bën thirrje Qeverisë të shqyrtojë uljen e normës së taksës mbi vlerën e shtuar për frutat dhe perimet, të shqyrtojë mundësinë e uljes së kësaj takse për produktet e mishit, si dhe të bëjë një analizë të justifikimit të politikës së akcizës për produktet e tjera;
– është e nevojshme të rritet mbështetja për prodhimin vendas përmes ndarjes së më shumë fondeve në Buxhetin e Shtetit, për të mbështetur forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë malazeze dhe vazhdimin e ndarjes më të madhe të fondeve për Buxhetin e Bujqësisë;
– i bën thirrje Qeverisë, në bashkëpunim me rrjetet e shitjes me pakicë, të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së rafteve me produkte vendase në vendet më të dukshme në rrjetet e shitjes me pakicë;
– u bën thirrje rrjeteve të shitjes me pakicë, nëse organizimi i punës dhe kushtet hapësinore e lejojnë, të sigurojnë që të ketë zona të veçanta shitjeje për produktet me çmime të kufizuara në mjediset më të mëdha të shitjes;
– vlerëson se në periudhën në vijim, është e nevojshme të mundësohet monitorimi i ndryshimeve të çmimeve të produkteve në një mënyrë të tillë që tregtari, përveç çmimit aktual me pakicë, të tregojë qartë çmimin e mëparshëm me pakicë të produktit nga një periudhë e caktuar ose në një ditë specifike;
– fton palët e interesuara, me ndihmën e shoqatës së punëdhënësve në Mal të Zi, në zinxhirin e importuesve, shpërndarësve, shitësve me pakicë (zinxhirëve tregtarë), të shqyrtojnë mundësitë për korrigjim të mëtejshëm të artikujve dhe kostove të caktuara, me qëllim ofrimin e çmimeve më të favorshme për konsumatorët fundorë.