MALI I ZI KONTRIBUON NË SIGURINË KOLEKTIVE KIBERNETIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, priti Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, me rastin e vizitës së saj në Qendrën Rajonale për Kapacitete Kibernetike (WB3C) dhe Qendrën Operacionale për Sigurinë Shtetërore të Informacionit të Malit të Zi (GSOC).

Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe aleatëve të tij në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në mbrojtjen e infrastrukturës kombëtare të IT-së.

Me këtë rast, Dukaj theksoi se sulmi kibernetik në gusht 2022 tregoi se sa i rëndësishëm është anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, sepse menjëherë morëm mbështetje të përshtatshme nga aleatët.

“Për ne, ishte një lloj katalizatori për reformat strategjike të politikës sonë kibernetike. Në më pak se tre vjet punë intensive, të përkushtuar dhe profesionale, në bashkëpunim me partnerë dhe aleatë përkatës, kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme për të cilat jemi krenarë. Sot, jo vetëm që kemi mbrojtje në nivelin më të lartë, por Mali i Zi, falë Qendrës Rajonale për Kapacitetet Kibernetike të Ballkanit Perëndimor, po bëhet një vend për shkëmbim përvojash dhe për të fituar njohuri të reja në këtë fushë”, tha ministri.

Dukaj shprehu pikëpamjen se për Malin e Zi, si anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, krijimi i Qendrës Rajonale për Kapacitete Kibernetike (WB3C) ishte me rëndësi të veçantë, dhe fakti që selia e qendrës është në Podgoricë dëshmon për angazhimin dhe forcimin tonë jo vetëm të sigurisë kibernetike kombëtare, por edhe rajonale. Në këtë mënyrë, Mali i Zi tregon një gatishmëri konkrete për të përmbushur standardet dhe detyrimet që shoqërojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Mali i Zi demonstron një vendosmëri të qartë për të kontribuar në mënyrë të barabartë me aleatët e tjerë në një përgjigje më të gjerë ndaj sfidës në rritje që paraqet siguria kibernetike. Unë besoj se çështja e Ballkanit Perëndimor do të mbetet në fokus të aktiviteteve të NATO-s”, tha ministri. Shekerinska foli për përvojat e aleatëve të NATO-s dhe sfidat kibernetike, dhe vlerësoi progresin e potencialit kibernetik të Malit të Zi.

SHARE