Foto: AA
Malajzia ka hequr regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës të cilët dëshirojnë të qëndrojnë në këtë shtet deri në 30 ditë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet rrjeteve sociale, shprehu mirënjohje ndaj autoriteteve të Malajzisë për këtë vendim i cili vjen para vizitës së saj zyrtare në këtë shtet, gjatë javës së ardhshme.
“U jam thellësisht mirënjohës autoriteteve të Malajzisë për vendimin e tyre për të lejuar lirim nga vizat për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë. Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime javën e ardhshme, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë”, theksoi Osmani.
Osmani shkroi se mezi pret që të angazhohet me liderët shtetërorë javën e ardhshme për të punuar së bashku në thellimin e bashkëpunimit dhe për të avancuar interesat e përbashkëta.
Malajzia e njohu pavarësinë e Kosovës më 30 tetor të vitit 2008.