DËSHTON KONSTITUIMI I KUVENDIT TË KOSOVËS NË PËRPJEKJEN E GJASHTË ME RADHË

Foto: Erkin Keçi / AA

Është ndërprerë në mungesë votash për votimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, në hapjen e seancës tha se nuk i takon ta imponojë votimin, por, do të ishte mirë të zhbllokohej situata sepse qytetarët presin themelimin e institucioneve të Kosovës.

Ai ftoi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për ta propozuar emrin e kryeparlamentarit për votim dhe Konjufca e ripropozoi deputeten Albulena Haxhiu.

Nga 118 deputetë të pranishëm në sallë, Haxhiu përsëri mori 57 vota pro, 47 kundër dhe 3 abstenime.

“Në bazë të kësaj, kandidatja nuk votohet dhe detyrohemi ta ndërpresim seancën. Më 27 prill, në orën 10:00 shihemi përsëri”, theksoi Dehari për të mbyllur seancën.

Pas kësaj përpjekje, kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “tashmë kjo është komplet e pakuptimtë, është e turpshme, që për teke të një personi, të një kandidateje, të një deputeteje, të mbetet peng shteti”.

Ai tha se ka zgjidhje dhe ajo është që të ndërrohet kandidati, sepse nuk mund të imponohet kandidati kur mungojnë shumica e votave.

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, tha se duhet një konsensus politik për konstitutim të Kuvendit dhe kompromisi është që të votohet kandidatja Albulena Haxhiu për kryeparlamentare, sepse ndryshe edhe Vetëvendosja do të vendosë kushte për emrat e nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët i takojnë edhe partive tjera.

Propozimi i LVV-së për Haxhiun kryeparlamentare është hedhur në votim tashmë katër herë dhe në të gjitha këto raste ka dështuar.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, deri më tani Albulena Haxhiu ka marrë 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.

SHARE