MILLATOVIQ: TË SHFRYTËZOHET POTENCIALI I MADH DUKE PËRMIRËSUAR MË TEJ BASHKËPUNIMIN EKONOMIK

Kompanitë nga Sllovenia morën pjesë në ndërtimin e njërit prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës – tunelit të Sozinës, tha presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, duke vlerësuar se në këtë mënyrë vendosën standarde të larta dhe kontribuan dukshëm në zhvillimin e turizmit tonë.

Së bashku me Presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ai hapi forumin e biznesit të Malit të Zi dhe Sllovenisë, i cili organizohet nga Oda Ekonomike.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Millatoviq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit afarist me kompanitë sllovene, duke pasur parasysh se këto kompani, siç thotë ai, kanë qenë ndër të parat që kanë investuar në vendin tonë pas pavarësisë, veçanërisht në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve.

Millatoviq theksoi se takime të tilla janë një mundësi për të mësuar nga më të mirët, sepse Sllovenia është vendi i parë nga rajoni që hyn në Bashkimin Evropian, i pari që hyn në Eurozonë dhe një vend që është në krye të Evropës kur vjen në indeksin e standardit të jetesës së qytetarëve të saj.

Në këtë kuptim, siç thuhet nga Zyra e Presidentit, ai shtoi se ky vend është shembulli më i mirë që duhet ta ndjekim me punë të përkushtuar, forcimin e institucioneve dhe investimin në dije.

Gjithashtu, siç thuhet në njoftim, ai theksoi se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është i rëndësishëm, por edhe se ka potencial të madh në fushën e tregtisë, turizmit dhe investimeve, dhe se do të forcojnë edhe më tej marrëdhëniet e tyre të shkëlqyera dypalëshe me bashkëpunim më dinamik ekonomik.

Në fund, ai tha se ky takim është baza për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe bashkëpunimin intensiv në të ardhmen në planin ekonomik.

SHARE