Bukë Shtëpie me Fara

Buka është pothuajse baza e çdo vakti me të cilin shoqërohen shumica e ushqimeve të tryezës.

Me gjithë shumëllojshërinë e blerjes së saj në dyqane apo furra të posaçme edhe përgatitja e saj në shtëpi është një proçes shumë i dashur.

AgroWeb.org sot ju sugjeron një recetë shumë të preferuar dhe të veçantë për çdo familje, atë të bukës me fara.

Më poshtë do të gjeni hap pas hapi recetën e plotë të përgatijes së kësaj buke që do t’ju mbushë shtëpinë me aromë të mrekullueshme.

Përbërësit

  • 3 lugë gjelle mjaltë
  • 330 gr ujë i vakët
  • 190 gr qumësht i vakët
  • 16 gr maja
  • 650 gr miell
  • 100 gr miell thekre (ose miell normal 00)
  • 30 gr fara lule dielli
  • 30 gr fara susami
  • 30 gr fara lini
  • 20 gr kripë e trashë

Përgatitja

Për realizimin e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me ngrohjen e mjaltit në një tigan të vogël.

Në nxehtësi të ulët për rreth 30 sekonda apo 1 minutë, derisa të shikoni që mjalti ka shkirë plotësisht.

Më pas shtoni sasitë e ujit dhe të qumështit të cilët duhet të jenë të vakët.

Shtoni edhe majanë dhe trazojini të gjitha bashkë teksa ziejnë për 5 minuta.

Ndërkohë në një enë tëthellë hidhni të gjithë llojet e miellit që keni zgjedhur apo thjesht miellin e zakonshëm me të cilin gatuani dhe shtoni farat e më pas kripën.

Hiqni tiganin me masën e lëngëshme nga zjarri dhe shtojani enës ku ndodhet mielli duke e përzier me shpejtësi me një rrahës elektrik.

Nëse doni që përzierjen e përbërësve t’a bëni me dorë atëhere zgjidhni një lugë druri.

Kur të shihni që e gjithë masa të ketë marrë formën e brumit uleni pak shpejtësinë  e rradhësit dhe vazhdoni ashtu për 5 minuta.

Nëse nuk ju gjendet rrahësi pluhërosni pak duart me miell dhe punojeni brumin si zakonisht.

Brumi juaj do të jetë gati kur të mos ketë më kokrriza mielli dhe të ngjisë fare pak në duar, nëse ka nevojë mund t’a spërkasni edhe pak me miell.

Pasi të shikoni që ka marrë formën e duhur rrumbullake vendoseni në një enë boshe mbulojeni me letër plastike apo një napë.

Lëreni të pushojë në frigorifer për gjatë gjithë natës ndërsa të nesërmen nxirreni nga aty dhe lëreni në një vend të ngrohtë edhe për dy orë të tjera.

Pasi të keni kryer të gjitha këto proçese punojeni pak me duar brumin derisa të marrë një formë rrethore.

Për pjekjen

Vendoseni më pas në tavën ku do t’a piqni.

Lyejeni me pak vaj ulliri dhe mbështilleni sërisht me një letër plastike.

Lëreni të pushojë për 30 minuta apo edhe pak më shumë derisa të shikoni që është fryrë sa dyfishi i mëparshëm.

Ndërkohë ngrohni furrën në temperaturën 180 gradë dhe hiqni letrën plastike nga brumi juaj.

Me anë të një thike prisni në formë katrorë, ose si rombe të vogla pjesën e sipërme të bukës.

Në mënyrë që të ndihmojë me pjekjen e mirë të saj.

Spërkasni pak ujë sipër dhe futeni të piqet për 40-50 minuta, derisa të shikoni që ka marrë ngjyrë të artë.

Kur të shikoni që buka është gati nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet pak përpara se t’a prisni dhe t’a konsumoni./AgroWeb.org

SHARE