VENDIMI PËR MBYLLJEN E TIKTOK NË SHQIPËRI, ÇËSHTJA SHKON NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Foto: AA

Përfaqësues të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Birn Albania dhe Qendrës për Fuqizimin Ligjor dorëzuan të martën (25.03.) kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për mbylljen e TikTok.

Qeveria shqiptare vendosi më 6 mars të mbyllë platformën e njohur.

‘’Vendimi për mbylljen totale të TikTok është hap ekstrem dhe i pajustifikuar që shkel lirinë e shprehjes, të informimit dhe liritë ekonomike të qytetarëve” – u shpreh Drejtuesi i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), Isa Myzyraj, përpara godinës së Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Myzyrajt legjitimimi i një vendimi të tillë, do të sillte ‘’një precedent të rrezikshëm të censurës digjitale, që mund t’i hapte më pas rrugën edhe mbylljes së rrjeteve të tjera sociale”.

Ndalimi i aplikacionit u argumentua në vendimin e qeverisë në Shqipëri me pretendimin se përmbajtja e pakontrolluar mund të sillte efekte negative mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.

Avokati, Franc Terihati, njëherësh drejtues i Qendrës për Fuqizimin Ligjor u shpreh se mbyllja duhet të ishte masa e fundit.

‘’Parimet dhe të drejtat mund të kufizohen vetëm në bazë të interesit publik, kjo nuk provohet me fakte në VKM. Edhe nëse ndodh cënimi i interesit publik, kufizimi duhet të ndodhë në mënyrë të kufizuar” – u shpreh avokati.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se vendimi për mbylljen e platformës Tik Tok u mor nga qeveria pas konsultimeve të gjëra me prindër dhe mësues.

“Një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike”, shkruante Rama në platfomën X.

SHARE