Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi në seancën e mbrëshme ka miratuar marrëveshje bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky dokument do të krijojë një kornizë ligjore për përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ekonomik në fushën e turizmit, me fokus projektet në jug dhe veri të Malit të Zi, njoftoi Qeveria. Këtë informacion e ka publikuar në rrjetin X edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
“Marrëveshja përcakton zhvillimin e projektit në jug të Malit të Zi dhe resortin e skive në veri të vendit, si një zhvillim i integruar i turizmit dhe pasurive të paluajtshme me përdorim të përzier,” thanë nga Qeveria.
Theksohet se bazuar në projektet e identifikuara bashkërisht me rëndësi strategjike dhe interes publik për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve, Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe propozon dhe garanton që investitorët me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe subjektet e sektorit privat të bashkëpunojnë me Qeverinë e Malit të Zi, me qëllim të realizueshmërisë dhe realizimit të plotë të projekteve.
“Marrëveshja parashikon edhe krijimin e një Komisioni të Përbashkët, detyra e të cilit do të jetë monitorimi i zbatimit të projekteve. Dokumenti lidhet për një periudhë 5-vjeçare dhe do të rinovohet automatikisht për periudha të njëpasnjëshme prej pesë vjetësh, derisa njëra nga palët të vendosë ta përfundojë atë. Gjithashtu, me pëlqim të ndërsjellë, të dyja palët mund të ndryshojnë dhe plotësojnë Marrëveshjen në formë të protokolleve të veçanta, të cilat do të jenë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshjeje”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Malit të Zi.