QEVERIA DHE OPOZITA ARRIJNË MARRËVESHJE, SECILA DO T’I PARAQESË NGA NJË PYETJE KOMISIONIT TË VENECIAS

Foto: Sot News

Qeveria dhe opozita kanë arritur një kompromis dhe kanë rënë dakord t’i dërgojnë nga një pyetje Komisionit të Venecias, mëson portali i Qytetit.

Të rikujtojmë se, sipas Marrëveshjes së datës 15 mars, kërkesa në Komisionin e Venecias për një opinion për zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese duhej të dërgohej dje, por kjo nuk u realizua, pasi përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës nuk arritën të bien dakord për tekstin e kërkesës, pra se sa pyetje duhet të dërgohen dhe me çfarë duhet të lidhen ato.

Tekstin e kërkesës po e shkruan në emër të qeverisë ministri i Drejtësisë Bojan Bozhoviq ndërsa opozita ia ka besuar këtë detyrë avokatit Millosh Vukçeviq.

Komisioni i Venecias, organ ekspert i Këshillit të Evropës, duhet të formojë një komision që do të punojë për hartimin e një opinioni, i cili më pas duhet të miratohet në seancën plenare të Komisionit të Venecias.

Kryetari i Lëvizjes „Evropa Tani“ dhe njëherësh kryeministër i Qeverisë së Malit të Zi Millojko Spajiq dhe përfaqësuesit e opozitës nënshkruan më parë një marrëveshje me të cilën u pajtuan që Komisionit të Venecias t’i paraqesin një kërkesë për mendim në lidhje me procedurën për përcaktimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares të Gjykatës Kushtetuese.

Kështu ka bërë të ditur Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, ku me iniciativë të ambasadorit Johan Sattler është mbajtur takimi në të cilin është nënshkruar marrëveshja.

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes në një postim në platformën X.

“Duke lënë mënjanë dallimet për t’u fokusuar në përshpejtimin e reformave në lidhje me Bashkimin Evropian, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, shtoi Kos.

SHARE