TURIZMI NË SHQIPËRI MBETET POSHTË NIVELEVE TË PARA PANDEMISË

Numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë nuk ka arritur të kapë ende nivelet e para pandemisë në dy muajt e parë të vitit, i ndikuar kryesisht nga rënia e hyrjeve nga Kosova. Sipas të dhënave të INSTAT për periudhën Janar-Shkurt, 395 mijë shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi kishte lehtësuar kufizimet e pandemisë. Por në krahasim me 2 mujorin 2019, që deri tani ka qenë viti më i mirë i turizmit, hyrjet janë 5% më të ulëta. Të dhënat zbulojnë që shtetasit nga Kosova, të cilët mbajnë peshën kryesore të turizmit në periudhën e pandemisë, kanë vijuar të jenë me rënie edhe në shkurt. Hyrjet nga Kosova ne dy muajt e parë të vitit ishin 21 për qind më të ulëta se në janar-shkurt 2021 dhe pothuajse në të njëjtin nivel me periudhën e para pandemisë. Vendosja e kriterit për vaksinë dhe test molekular nga qeveria e Kosovës në muajt e parë të vitit ndikoi dhe në frenimin e hyrjeve nga Kosova në Shqipëri, duke dhënë efekt negativ tek turizmi. Rënia e turistëve nga Kosova është kompensuar nga hyrjet e shtuara nga Greqia ( me një rritje prej 332 për qind) dhe Italia ( rritje me 123 për qind). Hyrjet nga Italia ishin 20 për qind më të larta edhe në raport me periudhën e para-pandemisë, ndërsa nga Greqia mbeten 34 për qind më të ulëta. Hyrjet e shtetasve nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që zënë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë pas Kosovës ishin pothuajse në të njëjtat nivele të një vit më parë.

SHARE