OPOZITA: TË RESPEKTOHET MENDIMI I KOMISIONIT TË VENECIAS ME MORATORIUM PËR NDRYSHIMET E KUSHTETUTËS DHE LIGJIT PËR SHTETËSINË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Përfaqësuesit e opozitës parlamentare, Danijell Zhivkoviq dhe Damir Shehoviq, në një takim të organizuar nga shefi i Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, paraqitën një zgjidhje për tejkalimin e krizës së kahershme kushtetuese dhe parlamentare, kjo nënkupton se të gjitha palët janë të detyruara të respektojnë mendimin e Komisionit të Venecias dhe një moratorium për ndryshimet në Kushtetutë dhe Ligjin për Shtetësinë e Dyfishtë.

Në takim u përsërit qëndrimi i mëparshëm për gatishmërinë e opozitës për nënshkrimin e një marrëveshjeje që do të zgjidhte krizën e thellë politike dhe institucionale që po përjetojmë prej muajsh, e gjitha me synimin për mbrojtjen e përhershme të sistemit kushtetues dhe rendit juridik.

“Marrëveshja e lartpërmendur do të garantonte se pa arritur një konsensus nuk do të propozohen zgjidhje që përçajnë opinionin, siç janë ndryshimet në Kushtetutë dhe Ligjin për shtetësinë malazeze. Gjithashtu, marrëveshja do të përfshinte një përcaktim të përbashkët të një çështjeje specifike që do t’i paraqitej Komisionit të Venecias, me detyrimin që të gjitha palët të vepronin në përputhje me opinionin e marrë. Në rast të nënshkrimit të marrëveshjes, opozita do t’i rikthehej regjimit të rregullt të punës në Parlamentin e Malit të Zi. Në këtë mënyrë, ajo do të demonstronte edhe një herë gatishmërinë e saj për një qasje konstruktive në lidhje me agjendën evropiane, siç ka qenë rasti më parë,” thuhet në deklaratë të opozitës.

Në fund, opozita ritheksoi edhe një herë angazhimin e saj për gjetjen e zgjidhjes së krizës, me një vendosmëri të pakompromis për mbrojtjen e interesave jetike shtetërore, si dhe fokus të plotë në zbatimin e detyrimeve nga agjenda e BE-së.

SHARE