Lëkundjet shkatërrimtare të tërmetit të 6 Shkurtit në Turqi dhe Siri thellojnë bilancin e dhimbshëm. Numri i viktimave në të dy vendet arriti këtë të shtunë në 50 mijë. Autoritetet turke njoftuan ekipet e emergjencës gjetën të tjerë trupa të pajetë në provincën juglindore Hatay, ndër të paktat zona ku ende vijojnë operacionet.
Vetëm në Turqi, deri më tani përllogariten mbi 44 200 të vdekur, çka e thellon bilancin e asaj që konsiderohet si tragjedia më vdekjeprurëse e shekullit në këtë vend. Mbi 5 900 trupa të tjerë të pajetë numërohen në veri të Sirisë.
Që nga 6 Shkurti, krahas tërmeteve shkatërimtarë të magnitudave 7.8 dhe 7.5, deri më tani numërohen 9 136 pasgoditje. Qeveria turke ka në plan ndërtimin e 200 mijë apartamenteve të reja nëpër qytete dhe 70 mijë shtëpi fshati në 10 provincat e goditura.
Sipas përllogaritjeve fillestare, rindërtimi pritet të kushtojë 15 miliardë Dollarë. Shtetet e Bashkura do të kontribuojnë me 50 milionë Dollarë për këtë proces, ndërsa 20 milionë të tjera do t’i japë Kanadaja.