OPOZITA KËRKON FOKUSIM NË MARRËVESHJEN PËRFUNDIMTARE ME SERBINË

Deputetë të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan nga Qeveria që të ndërpresë dialogun teknik me Serbinë dhe të vazhdojë me bisedimet e nivelit të lartë, me qëllim arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Në një seancë parlamentare, të mbajtur të premten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si kërkues i kësaj seance, tha se çështja e dialogut është interes kombëtar. “Të kalojë në fazën finale dialogu, në marrëveshjen e madhe, me të cilën do të kërkohet njohja reciproke Kosovë-Serbi, në kufijtë ekzistues. Bazuar në tri parimet e dakorduara edhe me negociatorët ndërkombëtarë, pra: integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetueshmëria”, tha Haradinaj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti i Kosovës nuk është i varur nga njohja e Serbisë. “Ne nuk e kemi shpallur pavarësinë që ta zëvendësojmë varësinë nga Serbia me varësi nga njohja e saj. Kemi treguar që shteti dhe populli i Kosovës janë të përcaktuar në rrugën evropiane dhe euroatlantike, që ne e bëjmë shtetndërtimin demokratik, e bëjmë sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio-ekonomik, përkundër problemit që kemi me Serbinë”, tha Kurti.

SHARE