SPAJIQ: TRANSFORMIMI I MALIT TË ZI NË NJË SHOQËRI MUNDËSISH PËR TË GJITHË QYTETARËT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se vendi po kalon përmes një procesi të thellë transformimi me synim përmirësimin e cilësisë së jetës, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe krijimin e një shoqërie të bazuar në sundimin e ligjit.

Ai theksoi se, pavarësisht madhësisë së vogël, Mali i Zi posedon potencial të madh ekonomik që mund të zhvillohet përmes reformave, politikës tatimore stimuluese dhe pozitës gjeografike të favorshme.

Spajiq theksoi se qeveria e tij po ndërton themelet për rritje ekonomike të qëndrueshme duke tërhequr investitorë kredibilë dhe duke diversifikuar ekonominë.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në BE dhe hyrja në zonën SEPA tashmë sjellin përfitime konkrete, si transaksione bankare më të shpejta dhe më të lira. Po ashtu, themelimi i Bankës së Zhvillimit dhe Fondit të Garancive të Kredive do të rrisë qasjen në financime për bizneset.

Një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm luan infrastruktura, për të cilën është nisur një cikël i madh investimesh: ndërtimi i pjesës së dytë të autostradës, bypass-i i Budvës, modernizimi i hekurudhës Podgoricë–Tivar, përmirësimi i aeroporteve dhe përfundimi i bulevardit Tivat–Jaz.

Këto projekte do të forcojnë sektorin e turizmit dhe do të kontribuojnë që Mali i Zi të bëhet qendër energjetike e rajonit.

Spajiq shtoi se sistemi tatimor i Malit të Zi është sot një ndër më atraktivët, ndërsa digitalizimi i shërbimeve publike dhe tërheqja e fuqisë punëtore të kualifikuar do të forcojnë edhe më tej pozicionin ekonomik të vendit në rajon dhe më gjerë.

SHARE