Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë qeveri antiamerikane, duke theksuar se çdo qeveri e vendit mbështetet nga një popull thellësisht proamerikan.
Ajo theksoi se bashkëpunimi me SHBA-të është thelbësor për sigurinë, zhvillimin dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.
Osmani shprehu shqetësim për mundësinë e zvarritjeve pas zgjedhjeve, duke kujtuar se vonesat e mëhershme i kanë dëmtuar qytetarët.
Ajo tha se bëri përpjekje maksimale që Kuvendi të miratonte buxhetet komunale dhe marrëveshjet ndërkombëtare para shpërndarjes, por nuk pati dakordim mes partive politike.
Lidhur me krizën financiare të komunave, Osmani theksoi se Kuvendi ka pasur mundësi ligjore të votojë buxhetin e Prishtinës si pikë të veçantë, por kjo nuk u shfrytëzua.
Presidentja foli edhe për situatën e tensionuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke konfirmuar se është në koordinim të ngushtë me vendet e QUINT-it për analizimin ligjor të procesit të shkarkimit të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit.
Ajo e quajti të papranueshme që anëtarët e KPK-së të mos ndihen të sigurt, ndërsa Bashkimi Evropian, sipas saj, e sheh situatën si shkelje të parimeve të sundimit të ligjit.
Osmani paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë një deklaratë të plotë pas përfundimit të analizës me partnerët ndërkombëtarë.









