KRYEQYTETI I KOSOVËS PA TRANSPORT PUBLIK PËR SHKAK TË VËSHTIRËSIVE FINANCIARE

Autobusët lokalë në Prishtinë kanë ndërprerë qarkullimin për shkak të vështirësive financiare me të cilat po përballet ndërmarrja “Transporti Urban”, raporton Anadolu.

Dhjetëra autobusë të transportit publik të kryeqytetit po qëndrojnë pa lëvizur në parkingun e tyre në lagjen Emshir, në afërsi të Stacionit të Autobusëve.

Mëngjesin e së hënës komunikacioni në Prishtinë ka qenë edhe më i ngarkuar për shkak të mungesës së qarkullimit të autobusëve të Trafikut Urban meqë shumica e qytetarëve që përdorin transportin publik, u detyruan të përdorin vetura për qarkullim.

“Si pasojë e këtyre vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban”, njoftuan nga kjo ndërmarrje.

Punëtorët e Trafikut Urban protestuan të hënën në mëngjes para Komunës së Prishtinës e më pas edhe pranë objektit të Qeverisë së Kosovës me kërkesë që të bëhet zgjidhje për pagat e punëtorëve.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e fajësoi Qeverinë e Kosovës për gjithë situatën e krijuar.

“E dini edhe ju, sikurse ne, sikur t’i keni pagat në bankë, e një zyrtar i bankës atje mos t’i lëshojë paratë, ashtu edhe Qeveria po vepron ndaj Komunës. Paratë tona që i kemi të gatshme nuk na i lëshon, për t’i kryer detyrimet tona ndaj jush”, është shprehur Rama.

Ndërmarrja ka njoftuar se qarkullimi i autobusëve nuk do të kthehet deri në kryerjen e pagesave ndaj tyre.

Legjislatura e Nëntë e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht mungesës së formimit të qeverisë së re, nuk arriti të jetë e unifikuar në mënyrë që para shpërbërjes t’i votojë Buxhetin e Kosovës për vitin 2026, buxhetin për tre komuna përfshirë Prishtinën dhe buxhetin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

SHARE