KRIVOKAPIQ DHE ABAZOVIQ SË PARI NË BRUKSEL

Vizita e parë zyrtare e mandatarit për Kryeministër dhe kandidatit për Zëvendës Kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së re të Malit të Zi do të jetë në Bruksel. Kjo u dakordua në takimin e mandatarit për përbërjen e Qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq dhe kandidatit për Zëvendës Kryeministër, Dritan Abazoviq, me shefen e Delegacionit të BE në Mal të Zi, Oana Kristina Popa. Lëvizja Qytetare URA e vlerëson këtë marrëveshje si një shprehje të vullnetit politik për integrimin më të fortë të mundshëm të Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) dhe një partneritet edhe më të fortë midis Malit të Zi dhe BE. “Në një takim jashtëzakonisht konstruktiv, Krivokapiq dhe Abazoviq falënderuan ambasadoren Popa për ndihmën e madhe në shumën prej 28 milion eurosh, të cilat BE i dërgoi Malit të Zi në kuadër të paketës së ndihmës financiare të pakthyeshme me vlerë 53 milion euro për zbutjen e efekteve të krizës së madhe ekonomike dhe shëndetësore. BE do të ketë një partner të fortë në Malin e Zi dhe ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që vendi ynë të zbatojë reformat e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të bëhet përfundimisht një anëtar i plotë i BE,” u njoftua nga takimi i sotëm. LQ URA këtë takim e vlerëson si vazhdim të bashkëpunimit intensiv që, siç thanë ata, përfaqësuesit e shumicës së re parlamentare kanë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi. Ata poashtu njoftuan se ky bashkëpunim do të “intensifikohet menjëherë pas formimit të Qeverisë dhe fillimit të proceseve të rëndësishme të reformës, të cilat janë të nevojshme për Malin e Zi”.

SHARE