SANKSIONET AMERIKANE NDAJ LUKOIL DHE ROSNJEFT NUK NDIKOJNË NË FURNIZIMIN ME KARBURANT NË MAL TË ZI

Foto: Ilustrim

Sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën ndaj kompanive ruse të naftës Lukoil dhe Rosnjeft nuk do të ndikojnë në furnizimin me karburante në Mal të Zi, pasi në tregun malazez prej kohësh nuk qarkullojnë produkte energjetike nga Rusia.

Sipas burimeve nga sektori energjetik, shumica e karburanteve që përdoren në Mal të Zi vijnë nga Greqia dhe Kroacia, ndërsa edhe dega e Lukoil-it në Mal të Zi shet produkte greke, jo ruse.

Kompania Lukoil Montenegro deklaroi se po vazhdon punën në mënyrë të rregullt dhe se të gjitha procedurat e blerjes, transportit dhe pagesave zhvillohen normalisht. Ajo theksoi se është e përkushtuar ndaj respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe ndaj transparencës në marrëdhëniet me partnerët e saj.

Lukoil Montenegro operon me 10 pika karburanti, punëson 130 persona dhe mban rreth 15% të tregut malazez të karburanteve, me një të ardhur vjetore prej 47,7 milionë eurosh. Ajo është në pronësi të plotë të kompanisë Lukoil International GmbH me seli në Vjenë.

Sipas burimeve të gazetës Vijesti, kompania furnizohet me karburant nga Jugopetrol, i cili është në pronësi të shumicës nga Eko Hellenic Petroleum e Greqisë. Një pjesë tjetër e tregut malazez gjithashtu blen karburant nga Jugopetrol ose e importon nga Kroacia.

Ekspertët theksojnë se nuk ka pasur karburant rus në Mal të Zi as para luftës në Ukrainë, ndaj sanksionet amerikane nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë.

Megjithatë, mund të ketë efekte të tërthorta nëse rriten çmimet e derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare, gjë që mund të reflektohet në çmimet vendore pas datës 3 nëntor, kur pritet rishikimi i radhës i çmimeve të karburanteve.

Në rajon, Serbia mund të përballet me vështirësi më të mëdha për shkak të pronësisë ruse në industrinë e saj të naftës, megjithëse pritet që edhe atje furnizimi të mbetet i qëndrueshëm falë importeve alternative nga Hungaria dhe Kroacia.

SHARE