NË MAL TË ZI NIS FUSHATA “KUFIRI PA KORRUPSION”

Foto: Luka Zeković

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Ministria e Punëve të Brendshme – Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria e Doganave të Malit të Zi nisën sot në pikën kufitare Bozhaj fushatën “Kufiri pa korrupsion”, e cila do të zbatohet gjatë muajve të ardhshëm.

Drejtori në detyrë i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Dushan Drakiq, theksoi se përgjigjja institucionale dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve janë thelbësore për eliminimin e rreziqeve korruptive dhe për forcimin e besimit të qytetarëve.

Drejtoresha në detyrë e Doganave, Maja Vuçiniq, nënvizoi rëndësinë e integritetit të punonjësve në kufi dhe nevojën për transparencë në çdo procedurë. Ajo tha se sistemi po përmirësohet përmes digjitalizimit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo raportimi për parregullsi.

Ndërsa drejtori në detyrë i Policisë, Llazar Shqepanoviq, kujtoi se kufijtë janë “vija e parë e sigurisë” dhe se çdo veprim policor duhet të jetë i bazuar në ligj, me zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Fushata “Kufiri pa korrupsion” është pjesë e nismës më të gjerë kombëtare “Mali i Zi pa korrupsion”, e cila mbështetet nga Këshilli Kombëtar për Luftën kundër Korrupsionit.

Në fazat e ardhshme, fushata do të zgjerohet edhe në fusha të tjera si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet lokale, sektorë që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Institucionet pjesëmarrëse theksuan se synimi është ndërtimi i një shoqërie me institucione të përgjegjshme dhe me të drejta të barabarta për të gjithë, ku korrupsioni nuk është i pranueshëm.

SHARE