Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, hapi sot panelin në kuadër të Akademisë së BE-së pranë Kabinetit të Presidentit, duke theksuar se Mali i Zi “nuk është pion në tabelën e shahut”, por një shtet që merr vetë vendime dhe ndërmerr hapa që e çojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Është koha që Mali i Zi të bëhet anëtari i radhës i BE-së. Evropa nuk është një parullë, por një punë që ndërton jetë më të mirë për qytetarët. Përparimi i rajonit nuk është garë, por fitore e përbashkët e Ballkanit Perëndimor,” thuhet në njoftim.
Ai deklaroi se prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi mbeten të qarta pavarësisht ndryshimeve globale.
Duke folur për rajonin, Millatoviq theksoi se përparimi i Ballkanit Perëndimor nuk është garë, por fitore e përbashkët:
“Qasja jonë është e qartë: ne udhëheqim flotën e shteteve në rrugën drejt BE-së; nuk duam të jemi pjesë e një ‘pakete’ që hyn në BE me kufizime për shkak të vendeve të tjera që nuk kanë zbatuar reformat kyçe. Vendet që kanë bërë më shumë duhet të hyjnë të parat.”
Akademia e BE-së, si një platformë për dialog të hapur me studentë, ekspertë dhe partnerë, do t’i kushtohet zgjidhjeve konkrete që përshpejtojnë integrimin evropian dhe forcojnë pozitën ndërkombëtare të Malit të Zi.
Presidenti Millatoviq udhëhoqi diskutimin përmes tre temave kryesore: perspektiva e anëtarësimit të Malit të Zi në BE; nisma për përmirësimin e cilësisë së jetës; bashkëpunimi rajonal si pjesë thelbësore e integrimeve evropiane.
Në përmbyllje, Millatoviq theksoi se Mali i Zi kultivon kulturën politike evropiane, të cilën Akademia e BE-së e demonstron, dhe se përmes diskutimeve të tilla do të hapet hapësirë për të rinjtë që të nxisin ndryshime dhe të jetojnë në mënyrë evropiane këtu, në shtëpinë e tyre.










