ORBAN: PUNA JUAJ ËSHTË E DUKSHME, MALI I ZI ËSHTË NJË MUNDËSI PËR BASHKIMIN EVROPIAN

Mali i Zi po hyn në fazën përfundimtare të procesit të integrimit dhe tashmë është e qartë për të gjithë se vendi juaj nuk është problem, por një mundësi për vetë Bashkimin Evropian, tha kryeministri i Hungarisë Viktor Orban gjatë një takimi me kryeministrin e Malit të Zi Millojko Spajiq, i cili ndodhet në vizitën e parë të punës në Budapest.

Qëllimi i vizitës së kryeministrit Spajiq është përcaktimi i aktiviteteve konkrete në planin e mbështetjes së Hungarisë për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, por edhe përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe me theks në dinamizimin e bashkëpunimit ekonomik.

Në këtë kontekst, Spajiq shprehu pritjen që gjatë presidencës hungareze të Këshillit të BE-së, gjegjësisht deri në fund të vitit, të mbahet Konferenca Ndërqeveritare në të cilën do të mbyllen katër kapituj të negociatave.

„Pas IBAR-it, ky është një moment monumental për Malin e Zi. Kemi mundësinë të mbyllim kapitujt e negociatave pas më shumë se shtatë vjetësh. Kemi punuar me drejtësi dhe presim trajtim të drejtë,“ tha kryeministri.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, gjatë takimit deklaroi se Mali i Zi mund të presë mbështetjen e tyre të plotë në këtë drejtim dhe se falë rezultateve të Malit të Zi, optimizmi i politikës së zgjerimit është në nivel shumë të lartë.

„Keni punuar dhe kjo është e qartë. Ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për të mbajtur Konferencën Ndërqeveritare në dhjetor, i cili në kuadër të procesit tuaj të negociatave do të jetë një hap kyç përpara,“ theksoi Orban.

Në takim u diskutua për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, dhe u vlerësua se ka një gamë të gjerë mundësish në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e: infrastrukturës, ekonomisë, tregtisë, bujqësisë dhe energjetikës.

SHARE