MELONI I VË ‘VULËN’: MARRËVESHJA SHQIPËRI-ITALI NUK BIE, DO TË FUNKSIONOJË

“E kisha marrë parasysh se do të dilnin pengesa, por ato do të kapërcehen: protokolli Itali-Shqipëri do të funksionojë”. Për këtë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni është më se e bindur. 

“Nuk do të lejoj të rrëzohet një zgjidhje të cilën ne e kemi identifikuar në përputhje të plotë me ligjin italian dhe europian, vetëm sepse ka një pjesë të politikës që nuk është dakord”, u shpreh ajo duke shtuar: “Jam e vendosur të ecim përpara, sepse është një angazhim që e kam përpara italianëve!”.

Qeveria italiane miratoi të hënën një ligj të ri që synon të tejkalojë pengesat juridike për zbatimin e marrëveshjes së debatueshme me Shqipërinë për emigrantët.

Sipas dekretit të ri, që ka hyrë menjëherë në fuqi, Roma zyrtare shkurtoi listën e vendeve që i konsideron të sigurta. Emigrantët që nuk do të fitojnë statusin e azilantit nuk do të deportohen drejt vendeve të pasigurta.

Numri i vendeve që Italia i konsideron të sigurta, është zvogëluar tashmë në 19, nga 22 që ishin më parë. Nga lista janë përjashtuar Kameruni, Kolumbia dhe Nigeria. Vendimi u mor pasi gjykata në Romë rrëzoi masën e ndalimit për 12 emigrantët e parë të dërguar në qendrën e pritjes së emigrantëve në Shqipëri.

Gjykata vendosi se vendet e tyre të origjinës, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk ishin vende të sigurta për rikthimin e tyre. Pas vendimit të gjykatës, emigrantët u rikthyen në Itali, ku mund të riaplikojnë për azil.

Ekzekutivi vendosi ta bëjë ndryshimin me një akt ligjor, në vend të një vendimi të qeverisë, duke e bërë kështu më të vështirë bllokimin e tij në gjykatë.

SHARE