FRANCA NDIHMON LIBANIN / I JEP 100 MILIONË EURO QEVERISË NË BEJRUT

Vetëm pak ditë pasi e acaroi Izraelin me vendimin për t`i ndaluar firmave izraelite të paraqesin produktet e tyre në një panair të armëve të marinës ushtarake, Franca njoftoi se do t`i japë Libanit të gjendur nën breshërinë e raketave të shtetit hebre një paketë ndihme me vlerë 100 milionë euro.

Macron tha se “është e nevojshme që ndihma masive e menjëhershme për popullin libanez, si për qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga lufta, por edhe për komunitetet që po i strehojnë”.

“Franca do të kontribuojë me 100 milionë euro, me një objektiv finale prej 500 milionësh si ndihma për personat e shpërngulur. Ky konflikt duhet mbyllur sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh Macron.

Lufta mes Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike libaneze dhe Izraelit ka detyruar 1 milion persona të zhvendosen në Liban.

Si pasojë e luftimeve, më shumë se 2.500 persona janë vrarë dhe është thelluar kriza ekonomike në këtë vend. Organizatorët francezë të konferencës ndërkombëtare kanë thënë se shpresojnë që pjesëmarrësit të zotohen për ndihmë humanitare që do të arrijë shifrën prej 426 milionë dollarësh, që sipas Kombeve të Bashkuara, i nevojiten urgjentisht Libanit.

Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr në kufi pothuajse në baza ditore.

Top Channel

SHARE