Zlatan Elek është zgjedhur kryetar i ri i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe.
Elek u zgjodh kryetar i ri i me votat e pjesëtarëve të partisë serbe në një mbledhje të Kuvendit partiak të mbajtur në Mitrovicën e Veriut.
Zlatan Elek, mjek me profesion, së fundmi ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.
Mbledhjen e cila ishte e mbyllur për publikun dhe mediat e udhëhoqi ish-kryetari i partisë, Goran Rakiq.
Në kuvendin zgjedhor të sotëm, nënkryetarë të partisë u zgjodhën Dragisha Miloviq, Dalibor Jevtiq, Dragana Antonijeviq, Tanja Vujoviq dhe Ivan Zaporozhac. Ndërkaq, Igor Simiq do të jetë përgjegjës për marrëdhëniet me publikun.
Ndryshe, pas ngjarjeve që ndodhën më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku nga një grup i armatosur rëndë u sulmuan njësitet policore, përgjegjësinë e mori nënkryetari i Listës Serbe deri në atë kohë, Milan Radoiçiq, i cili më vonë dha dorëheqje nga pozita e tij në këtë parti.
Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, lista serbe doli nga institucionet qendrore të Kosovës dhe nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri të Kosovës, në përgjigje të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e detyrueshëm të veturave me tabela ilegale në ato “RKS”.
Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të mbajtura në prill të këtij viti në katër komuna në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe. Por, më 13 tetor, liderët e Listës Serbe deklaruan se janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.