MILLATOVIQ NË BRITANINË E MADHE ME FTESË TË MBRETIT CHARLES

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nga sot deri të enjten do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të mbretit britanik Charles III.

Siç njofton Shërbimi Informativ i Presidentit, Millatoviq është presidenti i parë i Malit të Zi, të cilin sovrani britanik do ta presë në Pallatin Buckingham gjatë një vizite dypalëshe.

Në kuadër të vizitës së tij në Londër, Millatoviq do të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, James Cleverley, dhe të dërguarin special të kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Ai do të takohet gjithashtu me Presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Reno-Basso dhe Bordin e Drejtorëve të këtij institucioni, thuhet në njoftim.

Siç është paralajmëruar, Millatoviq do të mbajë një ligjëratë në London School of Economics (LSE) dhe së bashku me Cleverley do të marrë pjesë në ceremoninë solemne për shënimin e 40 vjetorit të bursës prestigjioze Chevening.

“Ai do të jetë gjithashtu i ftuar në një prej talk-show-eve më të famshme politike në botë, “Hardtalk” në BBC, me temën e ngjarjeve në Malin e Zi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

SHARE