Është ndër ëmbëlsirat e veçanta dhe të shëndetshme që i japin gjallëri dhe fuqi organizmit.
Një recetë e freskët, e shijshme, e mrekullueshme në aromë dhe e lehtë në përgatitje është padyshim ajo e kungullit të pjekur furrë. Bëhet fjalë për kungullin e dimrit, i cili aktualisht gjendet në treg.
Kungulli i dimrit është jo vetëm i bukur në ngjyrën e tij portokalli të ndezur por edhe i pasur në vlera.
Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitaminë A në trup. Ai rritet pothuajse në të gjitha zonat e vendit.
Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e radikaleve të lira, mbron nga azma, sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen.
Të ushqehesh me kungull i bën mirë zemrës. Fibra, potasi dhe vitamina C, që ndodhen tek kungulli e mbështesin fort shëndetin e zemrës.
Falë vlerave që ka, jo më kot konsiderohet si një ndër ushquesit më të mirë në çdo recetë gatimi, ashtu si edhe kjo ëmbëlsirë e veçantë dhe e shëndetshme që i jep gjallëri dhe energji organizmit.
AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë krejt të lehtë për të përgatitur ëmbëlsirën e kungullit të dimrit në shtëpi.
Receta e Përgatitjes në Shtëpi
Përbërësit
- 1 kungull
- Pak sheqer
- Mjaltë
- Arra
- Fruta të thata
- Kanellë
Përgatitja
Si fillim bëjmë kujdes në zgjedhjen e një kungulli të freskët.
E lajmë me ujë të rrjedhshëm dhe përmes një thike të mprehtë e ndajmë në dy pjesë.
Përmes një luge, pastrojmë pjesën e brendshme të kungullit duke larguar farat, të cilat mund t’i përdorim në një tjetër recetë ( të pjekura në furrë me kripë).
Të dyja pjesët i presim në formën e fetave. Pasi i kemi prerë të gjitha fetat, i rendisim me rregull në tavë një e nga një.
Para se t’i fusim në furrën e nxehur më parë, i spërkasim me pak sheqer e mjaltë.
Furrën e lëmë në 250 gradë celcius. Fetat e kungullit do të piqen mesatarish përreth 30-35 minuta.
Pasi i heqim nga furra, fetat e pjekura të kungullit të ëmbëlsuar mund t’i konsumojmë sa janë ende të ngrohta. Por edhe kur ftohen, ato janë njëlloj të shijshme.
Një mënyrë e shijshme e servirjes së kësaj ëmbëlsire, është edhe ajo e spërkatjes me mjaltë dhe shtimit të arrave, frutave të thata apo kanellës mbi fetat e kungullit të pjekur./AgroWeb.org