ENERGJIA E GJELBËRT: KËRKESA PËR NAFTË, GAZ E QYMYR MBËRRIN PIKUN NË 2030

Kërkesa globale për naftë, gaz natyror dhe qymyrguri, si edhe ndotja e karbonit që ato gjenerojnë – pritet të mbërrijë pikun nga fundi i kësaj dekade sipas një raporti të ri nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Nxitja e ndryshimit do të vijë nga rritja e ndjeshme e burimeve të pastra të energjisë, pohoi organizmi me bazë në Paris në raportin e tij vjetor World Energy Outlook.

Agjencia pret që të ketë gati 10 herë më shumë makina elektrike në rrugë nëpër botë deri në 2030-tën që burimet e rinovueshme të përbëjnë pothuajse gjysmën e përzierjes globale të energjisë, nga 30% që shënojnë sot.

Ngadalësimi i rritjes në Kinë pritet ta ulë  gjithashtu kërkesën për lëndë të djegshme fosile. Ekonomia e dytë më e madhe e globit – dhe konsumatori më i madh i energjisë – ka arritur një “pike përkuljeje”, thotë agjensia, sipas të cilës, kërkesa totale e Kinës për energji arrin kulmin nga mesi e dekadës e pastaj fillon rënien.

Ky vend po orientohet edhe ai gjithmonë e më shumë drejt energjisë së pastër dhe pati më shumë se gjysmën e shitjeve të automjeteve elektrike të numëruara në mbarë botën vitin që shkoi.

“Tranzicioni drejt energjisë së pastër po ndodh në të gjithë planetin, dhe tashmë është i pandalshëm. Tani nuk shtrohet më cështja a do të ndodhë, por sa shpejt do të ndodhë, dhe sa më shpejt, aq më mirë do të jetë për gjithë ne”, u shpreh kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.

Raporti i kësaj agjencie sfidon thirrjet e OPEK-ut. Apo grupit të vendeve më të mëdha prodhuese të naftës në botë, për triliona dollarë investime të reja në këtë sektor nga tani deri në vitin 2045 për të parandaluar një rritje të çmimeve të energjisë.

SHARE