MILLATOVIQ: MALI I ZI KA NEVOJË PËR POLITIKË IMIGRACIONI MË TË PËRGJEGJSHME

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nga Nju Jorku theksoi se Mali i Zi ka nevojë për një politikë imigracioni më të përgjegjshme, ndërsa pjesëmarrja në OKB mbetet e rëndësishme për fuqizimin e vendeve të vogla.

Ai nënvizoi nevojën për të hapur një debat serioz mbi politikën e emigracionit dhe marrëdhëniet me diasporën.

Millatoviq tha se Mali i Zi ndjek politikën e Bashkimit Evropian, por ka hapësirë për thellimin e partneritetit strategjik edhe me Shtetet e Bashkuara.

Ai vuri në dukje se është e rëndësishme që vendet e vogla të kenë zërin e tyre në OKB, një platformë unike ku çdo shtet ka vendin dhe fjalën e vet. Duke komentuar fjalimin e presidentit amerikan Donald Trump, Millatoviq tha se janë dëgjuar qëndrime të ndryshme, disa prej të cilave duhet të merren parasysh.

Presidenti theksoi se politika e emigracionit në Mal të Zi nuk ka qenë kurrë temë e rëndësishme në debatet publike dhe se ka ardhur koha për ta hapur këtë temë.

Ai përmendi se prania e numrit të madh të të huajve ka çuar në rritjen e çmimeve të banesave dhe qerase, duke e vështirësuar për qytetarët vendas blerjen apo qiranë e një banese.

Një tjetër sfidë e madhe, sipas Millatoviqit, është rikthimi i qytetarëve që kanë ikur nga Mali i Zi gjatë dy dekadave të fundit, të cilët janë të talentuar dhe të edukuar, por largohen për shkak të padrejtësive dhe klientelizmit politik.

Ai përmendi se Mali i Zi mbështet zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez dhe se politika e tij përputhet me atë të BE-së, por edhe partneriteti me SHBA-të mund të thellohet.

Millatoviq përfundoi duke thënë se është koha për një politikë imigracioni më të përgjegjshme, ku qytetarët vendas të kenë përparësi për punë dhe strehim, dhe të krijohen kushtet për rikthimin e të larguarve.  

SHARE