Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Gjatë gjashtë viteve të fundit, Mali i Zi ka investuar mbi 167 milionë euro në zbatimin e Strategjisë së parë të specializimit të mençur (S3) për periudhën 2019-2024.
Tani është duke u përgatitur Strategjia e dytë, e cila do të vazhdojë fuqizimin e aktiviteteve inovative dhe kërkimore në vend. Strategjia e specializimit të mençur është dokumenti kryesor strategjik që përcakton fushat me potencialin më të madh për investime në kërkime dhe inovacione.
Fushat kryesore të parashikuara për periudhën e re janë: energjia dhe mjedisi i qëndrueshëm; turizmi inovativ dhe i qëndrueshëm; bujqësia e qëndrueshme dhe zinxhiri i vlerës së ushqimit; teknologjitë e informacionit dhe komunikimit; dhe ndërtimtaria.
Këto do të sqarohen më tej përmes Procesit të Zbulimit Sipërmarrës (EDP), që përfshin dialog mes qeverisë, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile.
Kryeministri Millojko Spajiq theksoi se Mali i Zi ka njohuri, talent dhe guxim për t’u përballur me ekonomitë më të mëdha. Strategjia ka mundësuar krijimin e Fondit për Inovacione dhe zhvillimin e parqeve teknologjikë në Podgoricë dhe Nikshiq, ku operojnë mbi 150 kompani. Gjithashtu, përmes përfitimeve tatimore, shteti ka mbështetur investitorët me 7 milionë euro në katër vite, duke sjellë në vitin 2024 mbi 1 milion euro investime të huaja në kompani inovative.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Ekaterina Paniklova, vuri në dukje rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës që lidh qeverinë, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile, duke siguruar që prioritetet e strategjisë të përputhen me potencialet reale të Malit të Zi dhe me qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm.
Ministrja e Arsimit Angjella Jakshiq – Stojanoviq tha se Mali i Zi po hyn në një cikël të ri zhvillimi, ku synohet identifikimi dhe drejtimi i potencialeve kryesore për rritje të qëndrueshme përmes procesit të konsultimit EDP.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Migel Landabaso Alvarez, e konsideroi procesin EDP si pjesë thelbësore të strategjisë dhe të rëndësishëm për integrimin evropian të Malit të Zi.
Koordinatore kombëtare e S3, Ivana Jankoviq-Mijanoviq, theksoi se investimet në strategjinë e parë dhe përpjekjet për të përgatitur të dytën tregojnë seriozitetin e Malit të Zi për këtë proces, që është rruga drejt një vendi modern dhe konkurrues.
Mali i Zi është shteti i parë jashtë BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka miratuar Strategjinë e parë të specializimit të mençur dhe tani vazhdon të forcojë potencialin inovativ në bashkëpunim të ngushtë me BE-në.









