Në Shkup u mbajt Takimi i 18-të vjetor i Punës së Ministrave të Bujqësisë nga vendet e Evropës Juglindore.
Në takim përveç ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Cvetan Tripunovski morën pjesë edhe ministri i Bujqësisë së Malit të Zi, Vladimir Jokoviq, ministri i Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci, ministrja e Bujqësisë së Shqipërisë, Anila Denaj, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Polonisë, Czeslaw Siekierski dhe pjesëmarrës të tjerë.
Ministri Tripunovski tha se është nder i veçantë dhe kënaqësi që të jetë sot nikoqir i një ngjarjeje të tillë siç është Takimi i 18-të Vjetor i Punës së Ministrave të Bujqësisë nga Evropa Juglindore. Ai tha se do të trajtojnë shumë tema të rëndësishme, analiza nga disa aspekte, ndërsa në fund të ngjarjes do të nxirret një përfundim i përgjithshëm nga diskutimet, të cilat do të miratojnë një Deklaratë të Përbashkët.
“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit dhe ndihmën e ndërsjellë. Me deklaratën, ne do të shprehim vendosmërinë tonë të fortë për të krijuar politika dhe plane kombëtare veprimi për të arritur sigurinë ushqimore kombëtare dhe rajonale dhe autonominë strategjike në një ekonomi të hapur për të siguruar prodhim të qëndrueshëm dhe konkurrues të ushqimit në dispozicion të popullsisë së të gjithë rajonit”, tha Tripunovski.
Ministrja e Bujqësisë së Shqipërisë, Anila Denaj tha se është e kënaqur që gjendet në Shkup për të diskutuar mbi punën në fushën e bujqësisë me vendet e rajonit ndërsa shtoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me vendet fqinje për të rritur bashkëpunimin në këtë sektor.
Ministri malazez Jokoviq tha se takimi është mundësi e jashtëzakonshme për një takim të përbashkët dhe të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe përgjigjet ndaj sfidave me të cilat përballet bujqësia, ndryshimet klimatike dhe sëmundjet që prekin bimët dhe kafshët.
“Besoj se do të arrijmë përparim në bashkëpunimin tonë, i cili është në nivel jashtëzakonisht të lartë, sepse mes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut ekziston një miqësi e sinqertë, të cilën ne duam ta ushqejmë dhe t’ia lëmë zotimin tonë gjeneratave të ardhshme. Besoj se përmes BE-së dhe fondeve, bujqësia do të përparojë. Sigurisht që ka probleme, por ne jemi këtu për t’i zgjidhur ato”, u shpreh Jokoviq.
Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci tha se janë këtu në takimin e ministrave të Bujqësisë për të ndarë përvojat që janë praktikuar nëpër shtetet në fushën e bujqësisë, sigurinë ushqimore dhe për t’i praktikuar këto përvoja në vendet e tyre.