IVANOVIQ: TË FORCOHET ROLI I OKB-së NË PROCESIN E ÇARMATIMIT

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Malit të Zi, Filip Ivanoviq, bëri thirrje për forcimin e rolit të OKB-së në procesin e çarmatimit, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kolektive në kuadër të parandalimit të konflikteve.

Këtë e ka thënë gjatë pjesës plenare të “Samitit për të Ardhmen”.

Ivanoviq përshëndeti miratimin e “Paktit për të Ardhmen” dhe konsensusin e arritur me atë rast, duke theksuar se ai është një dokument ambicioz që duhet të ofrojë udhëzime për zgjidhjen e sfidave globale.

“Duke shprehur mbështetjen e tij për përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe “Agjendën e re për paqen”, Ivanoviq në fjalimin e tij bëri thirrje për forcimin e rolit të OKB-së në procesin e çarmatimit, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kolektive në kontekstin e parandalimit të konfliktit”, thuhet në deklaratë.

Ai gjithashtu theksoi se anekset e “Paktit për të Ardhmen” – “Marrëveshja Digjitale Globale” dhe “Deklarata për Gjeneratat e Ardhshme” – përfaqësojnë udhëzime për kapërcimin e ndarjes digjitale globale dhe dërgojnë një mesazh të fortë motivimi për forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes.

Ivanoviq mori pjesë në një dialog interaktiv në kuadër të Samitit për të Ardhmen, me titull „E ardhmja fillon tani: Përmirësimi i sistemit global për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme”.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në panelin e lartpërmendur, Ivanoviq i informoi përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare të OKB-së për përpjekjet që Mali i Zi ndërmerr për të përmbushur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në zbatimin e Agjendës 2030.

SHARE