Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është luftimi i korrupsionit përmes inkurajimit të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe aktivistëve të shoqërisë civile për të hulumtuar dhe raportuar mbi këtë problem, për të edukuar publikun për çështjet e korrupsionit si dhe për të promovuar dhe monitoruar zbatimin e Reformës së Administratës Publike.
Në kuadër të këtij projekti, përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe OJQ-ve do të forcojnë kapacitetet e tyre përmes një programi të veçantë trajnues në lidhje me çështjet e transparencës dhe llogaridhënies, teknikat e hulumtimit, hartimit të raporteve investigative, gazetarisë qytetare, qasjes së lirë në informata dhe çështje të tjera nga koncepti i ‘Qeverisjes së Mirë‘.
Pas ciklit trajnues për fuqizimin e kompetencave të gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, do të shpallet një konkurs përzgjedhës për shkrime investigative, me qëllim të nxitjes së gazetarisë qytetare dhe rritjes së raportimit të thelluar në bazë të të dhënave dhe evidencave. Tre raportet më të mirë do të shpërblehen në një ceremoni publike, në të cilën do të promovohet edhe udhëzuesi informues “Administrata Publike e orientuar drejt qytetarëve“.
Horizonti i Ri si Qendër e Resurseve Lokale, do të iniciojë një servis të veçantë, ku do të ofrohen këshilla dhe mbështetje logjistike për përdorimin e mekanizmave që ofron Ligji për Qasje të Lirë në Informata.
Përmes këtij programi do të ndërtohet një partneritet efektiv midis mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, si kusht kryesor për një publik më të informuar në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe demokracisë në përgjithësi.
Media partnere në këtë projekt është gazeta për aktualitete, shkencë dhe kulturë “KOHA JAVORE”.
Aktiviteti i parë i projektit, i cili do të tubojë përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe aktivistë të shoqërisë civile, do të mbahet fundjavën që vjen në Ulqin.
Projekti financohet nga Departamenti i Shtetit të SHBA – Byroja për Çështjet Ndërkombëtare tëNarkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, në kuadër të Programit të Shoqërisë Civile për Drejtësi Penale.