MANDIQ DHE KNEZHEVIQ: E PRANOJMË OFERTËN E MANDATARIT SPAJIQ

Liderët e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq, në konferencën për shtyp kanë deklaruar se për ta është e pranueshme oferta e mandatarit Millojko Spajiq për të marrë pjesë në qeveri.

Ai tha se janë konsultuar me autoritetet partiake dhe kanë vendosur që ta pranojnë ofertën.

“Oferta është e pranueshme për ne jo sepse jemi të dobët, por për të penguar PDS-në të marrë qeverinë”, theksoi Mandiq.  

Ai tha se e pranojnë atë që mandatari ka deklaruar sot për media.

“Në kuadrin e luftës sonë të madhe, ne jemi gati të ulemi në tryezë në ditët në vijim dhe të mbrojmë vullnetin e popullit. Kemi kohë, edhe 75 ditë për të rënë dakord për gjithçka”, shtoi ai.

Lëvizja “Evropa Tani” njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se në takimet u ofrua që koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”,  të marrë këto pozita: postin e zëvendëskryetarit të Qeverisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, nënkryetarit të Kuvendit nga shumica parlamentare, nënkryetares së Kuvendit nga radhët e grave, 40 për qind e vendeve në administratën deri te bordet e kompanive publike që janë të ndara politikisht dhe 40 për qind e posteve ambasadore nga ato që janë të ndara politikisht.

SHARE