Autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje. Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës. Kurti tha se në takimin e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, u diskutua për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia. “Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, deklaroi Kurti, duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd. Ai i quajti gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel. Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 23 gusht e quajti të përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”. “Ne ishim të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo, nga ndërtesa ka dalë pala tjetër”, deklaroi Kurti. Kurti të mërkurën përsëriti se për Kosovën opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet i dokumenteve për hyrje/dalje për qytetarët e të dyja shteteve. “Derisa do të ketë në një anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër”, tha ai. Sa i përket riregjistrimit të veturave, Kurti tha se targat KS nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve në Kosovë. Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se “dialogu asimetrik ku Kosova është më shumë temë se sa palë, nuk ngjan më në Bruksel”. “Opsionet ku Kosova duhet të prodhojë targa neutrale për veten nuk vijnë në konsiderim, me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike”. I pyetur se çfarë pritet të ndodhë më 1 shtator, Kurti u shpreh i vendosur se do të fillojë zbatimi i vendimit për dokumentet për hyrje-dalje, sipas parimit të reciprocitetit. “Ose nuk do të ketë fare dokument të tillë në asnjërën anë, ose do të ketë në të dyjat”, tha ai. Kurti insistoi se 1 shtatori do të jetë ditë normale. I pyetur lidhur me barrikadat e mundshme që mund të ngriten atje, ai tha se kjo është çështje e organeve të rendit. “Ne do të bëjmë çmos me partnerët ndërkombëtarë, me KFOR-in e organet e sigurisë që të mos vijnë në shprehje barrikadat. Unë s’e bëj dot policin, as prokurorin – kur bën shkelje ligji ka organe shtetërore për këtë gjë”, tha Kurti.