KURTI: MASAT PËR ENERGJI, TË DOMOSDOSHME PËR TË PËRBALLUAR IMPORTIN E RRYMËS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se reduktimet e rrymës dhe remonti në termocentrale, janë masa të domosdoshme për të përballuar importin e energjisë në muajt e dimrit. Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me gazetarët në Prishtinë. “Në ditën kur kanë filluar reduktimet, konsumi i energjisë ka qenë 240 megavat në orë, më shumë sesa prodhimi. Pra, konsumin e kemi pasur për 240 megavat orë më shumë sesa gjenerimi. Çmimi në HUPX (Berzën hungareze të Energjisë) ka qenë rreth 430 euro për megavat orë. Importi është shumë i kushtueshëm dhe pa këto masa është i papërballueshëm në dimër”, ka thënë Kurti. Sipas tij, bashkëpunimi i shtuar me Shqipërinë për energjinë, ka ardhur për shkak të remontit në bllokun B2 të termocentralit Kosova B, dhe për shkak se blloku A5 në termocentralin Kosova A, nuk ka punuar. Pavarësisht bashkëpunimit, ai ka thënë se reduktimet vetëm janë zbutur, sepse sasia e energjisë që bartet nga Shqipëria “nuk e plotëson në tërësi mungesën tonë për shkak se edhe vetë Shqipëria nuk po prodhon sa duhet për nevojat e veta”. Kryeministri ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke punuar në një listë masash për efiçencë të energjisë dhe ngrohje, që synim do ta kenë lehtësimin e situatës gjatë dimrit, sidomos për familjet në nevojë.Sipas Kurtit, luftimi i vjedhjes së energjisë dhe kursimi i saj do të jenë pika kritike në tejkalimin e krizës këtë dimër.

SHARE