SHBA-ja SHEH MUNDËSI PËR BASHKËPUNIM EKONOMIK ME KOSOVËN, KËRKON HEQJEN E BARRIERAVE

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.

“Shohim mundësi për bashkëpunim ekonomik në Kosovë në disa sektorë, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe sigurinë kibernetike. Heqja e barrierave ndaj eksporteve amerikane do të rezultonte me rritje të tregtisë”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë për REL-in.

“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, tha ai.

Ky qëndrim përkon edhe me përpjekjet e Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, sidomos pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në Uashington, këtë muaj.

Gjatë takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, ajo tha se u fol për rëndësinë e krijimit të një partneriteti të ri ekonomik, me fokus në sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë informative.

Radio Evropa e Lirë mori vesh se temë diskutimi ishte edhe mundësia e bashkëpunimit në sektorin e pasurive minerare.

Ekspertët e ekonomisë e përkrahën këtë vizion, duke nënvizuar se pozicioni gjeografik, fuqia e re dhe e arsimuar e punës, si dhe politikat fiskale konkurruese e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët e huaj.

Megjithatë, ata theksuan nevojën për reforma të thella në sundimin e ligjit dhe politikat ekonomike.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, i tha Radios Evropa e Lirë më 18 korrik Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kosova, aktualisht, ka një taksë prej 10% për mallrat e importuara nga SHBA-ja.

SHARE