Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e armëve në Ukrainë në vlerë të 322 milionë dollarëve, për të forcuar mbrojtjen e këtij shteti në ajër dhe fushëbetejë, teksa përballet me pushtimin rus.
Shitjet e pajisjeve HAWK për mbrojtje ajrore do të kushtojnë 172 milionë dollarë, derisa pajisjet luftarake të këmbësorisë Bradley do të kushtojnë 150 milionë dollarë, ka bërë të ditur Agjencia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për Siguri dhe Bashkëpunim.
Pajisjet HAWK do t’i “përmirësojnë kapacitetet e Ukrainës për t’u përballur me kërcënimet e së tashmes dhe të ardhmes”, ka thënë kjo agjenci.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka miratuar shitjet dhe agjencia e Departamentit të Mbrojtjes e ka njoftuar Kongresin amerikan, i cili duhet ta japë miratimin e fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik, se planifikon të pajisë Ukrainën me armë në vlerë të “miliarda dollarëve” të cilat do t’i blejë aleanca veriatlantike.
Në të njëjtën kohë, Trump i ka dhënë Rusisë një afat prej 50 ditësh për t’u pajtuar për një armëpushim, ose do t’i vendosë sanksione të ashpra.
Miratimi i shitjes potenciale të këtyre armëve vjen pasi Pentagoni ka urdhëruar pezullim të dërgesave tjera në Ukrainë për t’i vlerësuar rezervat e veta, pavarësisht se Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa.
Sulmet kanë vazhduar edhe më 23 korrik, pasi forcat ruse kanë goditur portin e Odesas në Detin e Zi, duke përhapur flakë në ndërtesa banimi.
Në anën tjetër, dronët ukrainas kanë goditur territoret ruse, duke vrarë një person dhe duke plagosur një tjetër.