RUSIA DHE UKRAINA PAJTOHEN PËR KËMBIMIN E MË SHUMË TË BURGOSURVE TË LUFTËS

Rusia dhe Ukraina gjatë bisedimeve që zhvilluan në Stamboll janë pajtuar që secila palë të këmbejë 1.200 të burgosur të luftës.

Kështu tha negociatori rus pas përfundimit të bisedimeve mbrëmjen e 23 korrikut, duke shtuar se Moska i ka ofruar Kievit që t’ia dorëzojë trupat e 3.000 ushtarëve të vrarë.

“Jemi pajtuar për vazhdimin e këmbimit të burgosurve të luftës, për të paktën 1.200 të burgosur shtesë që do të këmbehen nga të dyja palët në një të ardhme të afërt”, tha Vladimir Medinsky gjatë një konference për media.

Rundi i tretë i bisedimeve u zhvillua nën ndërmjetësimin e Turqisë.

Ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, në nisje të takimit u bëri thirrje palëve që t’i japin fund sa më shpejt që të jetë e mundur “luftës së përgjakshme”, që ka nisur mbi tre vjet më parë.

“Qëllimi ynë është që t’i jepet fund luftës së përgjakshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Qëllimi përfundimtar është një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha Fidan në nisje të negociatave.

Turqia, e cila ka raporte të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi, ka furnizuar Ukrainën me dronë dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Moskës.

Ministri Fidan falënderoi liderët rus dhe ukrainas, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, për shfaqjen e “vullnetit për të mbajtur këto bisedime”, si dhe presidentin amerikan Donald Trump, për thirrjet e tij për t’i dhënë fund luftës.

Ai tha se raundi i parë dhe i dytë i bisedimeve, të cilët gjithashtu u zhvilluan në Stamboll, arritën “rezultate të rëndësishme”.

“Jemi të gëzuar që kemi parë realizimin e këmbimit të të burgosurve”, tha ai.

“Shpresa jonë për këtë raund të tretë negociatash është që palët të zhvillojnë konsultime thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve mbi memorandumet që kanë shkëmbyer”, tha Fidan.

Ai shtoi gjithashtu se nëse arrihet një armëpushim, Turqia ka “infrastrukturën e nevojshme për një mekanizëm për ta monitoruar atë”.

Palët janë takuar në Stamboll në maj dhe qershor dhe janë pajtuar vetëm për këmbimin e të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vrarë.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Rusisë 50 ditë kohë që t’i japë fund luftës, në të kundërtën tha se Moska do të përballet me sanksione. Por, Kremlini nuk ka dhënë sinjale se ka vullnet për kompromis.

SHARE