QEVERIA E MALIT TË ZI MIRATOI PLOTËSIMET E SHTATË LIGJEVE NË KUADËR TË REFORMËS SË VLERËSIMIT TË INVALIDITETIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria e Malit të Zi ka miratuar propozimet për plotësimin e shtatë ligjeve me qëllim të harmonizimit me Projektligjin për vlerësimin e unifikuar të invaliditetit.

Kjo masë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt reformimit të sistemit të vlerësimit të invaliditetit në përputhje me modelin e të drejtave të njeriut.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve është të sigurohet një qasje e unifikuar dhe e qëndrueshme në vlerësimin e invaliditetit, duke lehtësuar dhe përmirësuar realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në fusha të ndryshme si arsimi, punësimi dhe mbrojtja sociale, pa barriera shtesë administrative.

Ligjet që propozohet të plotësohen janë:

  1. Ligji për mbrojtje sociale dhe për fëmijë,
  2. Ligji për sigurim pensional dhe invalidor,
  3. Ligji për mbrojtjen e veteranëve dhe invalidëve,
  4. Ligji për lehtësira udhëtimi për personat me invaliditet,
  5. Ligji për rehabilitim profesional dhe punësimin e personave me invaliditet,
  6. Ligji i punës,
  7. Ligji për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.

Qeveria ka theksuar se harmonizimi i ligjeve është thelbësor për të shmangur pasigurinë juridike dhe për të siguruar një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit të vlerësimit të invaliditetit, në përputhje me nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

SHARE