MILLATOVIQ: PJESA E DYTË E AUTOSTRADËS ËSHTË DËSHMI QË MALI I ZI E DI RRUGËN QË DËSHIRON TË NDJEKË

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjeve për financimin e pjesës së dytë të autostradës ndërmjet Mateshevës dhe Andrijevicës, duke theksuar se kjo pjesë tregon qartë drejtimin që dëshiron të ndjekë Mali i Zi.

Ai vuri në dukje se miratimi i kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe granti nga Bashkimi Evropian konfirmojnë kapacitetin e Malit të Zi për të ndërtuar me mbështetjen e partnerëve më seriozë evropianë, nën kushtet më të favorshme.

Millatoviq theksoi se në një kohë kur shohim oferta financiare nga e gjithë bota, Mali i Zi ka zgjedhur që projektet kyçe infrastrukturore të realizohen me mbështetje evropiane dhe sipas rregullave evropiane.

Ai kujtoi se politika që nga fillimi i mandatit të tij ka qenë zgjedhja e partnerëve të besueshëm dhe përgjegjës – Evropën.

Sipas tij, ky projekt nuk është rezultat i improvizimeve apo marrëveshjeve në prapaskenë, por dëshmi që Mali i Zi mund të menaxhojë projekte sipas standardeve më të larta ndërkombëtare financiare, mjedisore dhe zhvillimore.

Ndërtimi i kësaj pjese të autostradës, siç tha ai, është më shumë se thjesht lidhje rrugore është investim në zhvillimin e barabartë të Malit të Zi, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në të ardhmen ekonomike të veriut të vendit.

Millatoviq theksoi gjithashtu pjekurinë institucionale që ka treguar Mali i Zi në këtë proces, tenderët ndërkombëtarë rigorozë, përfshirja e institucioneve vendore dhe mbikëqyrja e qartë e partnerëve evropianë janë prova se vendi mund të ndërtojë si Europa.

Ai përgëzoi vendimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Komisionit Evropian për mbështetjen e ndërtimit të autostradës Tivar–Bolare dhe e përshkroi këtë bashkëpunim si një mesazh politik besimi.

Në fund, Presidenti nënvizoi nevojën për të vazhduar me planifikim dhe punë të ndershme, duke bërë të qartë se Mali i Zi duhet të jetë vend i investimeve të sigurta, të zgjuara dhe të qëndrueshme, ku dihet se kush dhe si ndërton.

Ai përmbylli fjalën e tij me një mesazh të fuqishëm: ky projekt është test i pjekurisë politike dhe dëshmi se Mali i Zi e di se çfarë, me kë dhe në cilin drejtim dëshiron të shkojë. Ai nuk pranon stagnim apo lojëra politike, por kërkon përfundimin e punës.

SHARE